Përtej paraleleve mes rastit serb dhe atij shqiptar dhe ngjashmërive Rama- Vuçiç, analistët e politikës argumentojnë se ndryshimi nuk do të vijë automatikisht në Shqipëri.
Të dielën në darkë, sheshi kryesor i Beogradit u kthye në një arenë gëzimi për mijëra të rinj dhe qytetarë serbë, të cilët protestonin prej dy vitesh kundër presidentit Aleksandër Vuçiç dhe qeverisjes së tij 12 vjeçare.
Festimet u ndezën nga fitorja e qartë në zgjedhje e Listës Studentore- një lëvizje që nisi në nëntor të vitit 2024 në Novi Sad pas shembjes së një strehe prej betoni të stacionit hekurudhor, ku humbën jetën 16 persona.
Vuçiç u përpoq që t’i shtypte protestat dhe i akuzoi protestuesit se po përpiqeshin të destabilizonin vendin me akuza se nxiteshin nga aktorë të huaj, por të dielën në darkë ai e pranoi humbjen.
Humbja e Vuçiçit po bën jehonë në Tiranë, ku protestat antiqeveritare 4-mujore u përshkallëzuan gjatë dy javëve të fundit me përfshirjen e studentëve dhe përplasjet me policinë. Në një paralelizëm të qartë me Shqipërinë, përfaqësues të ndryshëm politikë e konsideruan trumfin e lëvizjes studentore në Serbi si një “erë të re” në Ballkan.
Edhe analistët e politikës e shohin rastin serb si një pikë reference për Shqipërinë, duke theksuar rolin e presionit qytetar dhe nevojën që protesta studentore të shndërrohet në një alternativë të re politike, e aftë të fitojë besimin e qytetarëve përtej partive tradicionale.
“Në Ballkan prej disa vitesh ka një erë të re, Rama ka ngelur i fundit,” tha për BIRN gazetari Armand Shkullaku.
Edhe pse nuk mund të parashikohet sa do të zgjasë revolta qytetare në Shqipëri, për Shkullakun është e sigurtë se “procesi i largimit të Ramës është afër fundit dhe nuk ka më kthim pas”.
Ajo që ndodhi në Serbi tregon, sipas Andri Nurellarit, potencialin që kanë lëvizjet rinore për të thyer apatinë, për të mobilizuar shoqërinë dhe për të sfiduar edhe pushtete që duken të paprekshme.
“Mësimi më i rëndësishëm nga zhvillimet në rajon është se edhe pushtetet që duken të pathyeshme mund të ndryshohen përmes votës,” tha Nurellari për BIRN.
Megjithatë, sfida në Shqipëri mbetet te transformimi i revoltës në një alternativë politike elektorale si në Serbi.
“Në Shqipëri pyetja nuk është vetëm nëse studentët mund të mobilizojnë shoqërinë, por nëse mund të ndërtojnë një formë përfaqësimi që shkon përtej protestës,” tha gazetari Lutfi Dervishi.
Sfidat e një lëvizjeje studentore
Largimi i liderëve që kanë dominuar për vite me radhë politikën në rajon dhe Evropën Qendrore, nga Viktor Orbán tek Aleksandar Vuçiç, ka ushqyer diskutimet për një efekt domino që mund të sfidojë modelet e përqendrimit të pushtetit dhe të hapë rrugën për ndryshime të reja politike.
Paralelizmi përfshin më së shumti kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili sikurse Vuçiç akuzohet për ndërtimin e një sistemi qeverisjeje përmes përqendrimit të pushtetit, patronazhimit politik, kapjes së mediave dhe dobësimit të mbikëqyrjes institucionale.




