Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sistem të ri taksimi, që do të përfshijë ekonominë digjitale, pronat e luksit dhe automjetet luksoze, me synimin sipas tij për të rritur solidaritetin me qytetarët që përballen më shumë me kostot e jetesës.
Gjatë një fjalimit Rama deklaroi se ka ardhur koha për një sistem të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke nisur nga personat që përfitojnë të ardhura përmes rrjeteve sociale, e deri te aktivitetet e mirëfillta tregtare në internet.
“Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follwer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se paralelisht po punohet edhe për masa të tjera fiskale, të cilat, sipas tij, synojnë të zbusin pabarazitë që krijohen si pasojë e rritjes dhe zhvillimit të shpejtë ekonomik.
Një prej masave të paralajmëruara nga Rama është vendosja e një takse më të lartë për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë bosh, duke refuzuar t'i japin me qira.




